
Menaxhimi i projekteve
Menaxhimi i projekteve përfaqëson një mjet kyç për realizimin efikas të objektivave strategjike të organizatave. Ky modul ofron njohuri dhe aftësi praktike për planifikimin, organizimin, monitorimin dhe mbylljen e projekteve në sektorin publik dhe atë privat. Pjesëmarrësit do të njihen me fazat e ciklit jetësor të një projekti, duke përfshirë përcaktimin e objektivave, buxhetimin, menaxhimin e burimeve, rreziqeve dhe palëve të interesuara.
Përmes analizës së shembujve konkretë, ushtrimeve interaktive dhe përdorimit të mjeteve si Korniza Logjike, Struktura e Ndarjes së Punës (WBS) dhe Diagrami Gantt, moduli do t’u mundësojë pjesëmarrësve të forcojnë kapacitetet e tyre për menaxhimin e projekteve dhe të zhvillojnë ide të strukturuara dhe të zbatueshme projektore. Një vëmendje e veçantë i kushtohet rëndësisë së koordinimit ndërsektorial, monitorimit dhe vlerësimit, si dhe aftësive komunikuese dhe drejtuese të menaxherit të projektit.
Moduli është i dizajnuar për nëpunës administrativë, koordinatorë dhe ekipe projektesh, dhe është veçanërisht i dobishëm për të gjithë ata që punojnë në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare të financuara nga BE-ja dhe donatorë të tjerë.
- Наставник: Admin LMS

Kodi i etikës për nëpunësit administrativ
Moduli “Kodi i Etikës për Nëpunësit Administrativ” synon të forcojë njohuritë dhe ndërgjegjen etike të punonjësve në administratën publike lidhur me detyrimet e tyre profesionale, standardet e sjelljes dhe përgjegjësinë që vjen me ushtrimin e funksioneve publike. Duke u mbështetur në parimet themelore të shërbimit publik – integriteti, ligjshmëria, transparenca, barazia dhe përgjegjësia – ky modul promovon profesionalizmin dhe shërben si udhëzues për marrjen e vendimeve të drejta në punën e përditshme.
Moduli trajton koncepte etike bazë, tipologji të sjelljes etike dhe joetike, kulturën organizative, menaxhimin e konfliktit të interesit, parandalimin e korrupsionit dhe veprimin në rastet e sjelljes joetike. Vëmendje e veçantë i kushtohet shembujve praktikë, kufirit mes sjelljes ligjore dhe asaj moralisht të pranueshme, si dhe përdorimit të kodit si mjet për vetërregullim dhe llogaridhënie.
Ky modul është i dedikuar për të gjithë nëpunësit administrativ, përfshirë drejtuesit, të cilët kanë një rol kyç në ndërtimin e një administrate publike të përgjegjshme dhe etike, të orientuar drejt interesit publik dhe qeverisjes së mirë.
- Наставник: Admin LMS